09.03.2010 English  
Historia
Vushtrria ose Vicianumi (Ana e Viçave) siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve. Viciana në fund të shekullit I para l. K. pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I–V) Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Pas ndarjes së krishterizmit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksizëm, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike.
Në shekullin XIV Perandoria Osmane filloi ta pushtojë Ballkanin. Në Vushtrri prezenca e osmanëve së pari shënohet në vitin 1439. Vendosja e administratës osmane në Vushtrri, bëri që në këtë qytet të përhapet feja islame dhe të ndërtohen xhami, hane, medrese, hamame (banjo publike) etj. Gjatë shekujve XV–XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1915 – 1918, Vushtrria u pushtua nga Austro-Hungaria. Në Luftën II Botërore (1941-1945) Vushtrria me rrethinë i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët. Në nëntor 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave.
Në mars 1989, dhuna shtetërore serbe e rrënoi Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, gjë që rezultoi përfundimisht me luftën e armatosur të popullit të Kosovës, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe e ndihmuar nga ndërhyrja e forcave të NATO-s, (mars - qershor 1999). Gjatë kësaj lufte, në Vushtrri me rrethinë janë vrarë mbi 500 shqiptarë civilë dhe janë zhdukur mbi 100 të tjerë. Forcat e NATO-s hynë në Vushtrri më 16 qershor 1999.
Istog Kaçanik Klinë Prizren Podujevë Viti Vushtrri